Këtë të diel ka hyrë në fuqi akti normativ i qeverisë për situatën ndaj koronavirusit. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se akti normativ nga sot ka forcën e ligjit deri në përfundimin e “luftës”.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se në varësi të dinamikës së të prekurve me virusin, me urdhër të ministres mund të vendosen në dispozicion spitalet private, autoambulancat dhe personelet përkatëse.
Sipas kreut të qeverisë, nëse kjo nuk zbatohet dënohet me gjobë 5 milionë lekë dhe struktura përkatëse vendoset në dispozicion të shërbimit publik së bashku me personelin përkatës.
“Në varësi të dinamikës së spitalizimit të të prekurve nga COVID-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë, vendosen në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës.
Moszbatimi i këtij urdhri dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (5 milionë) lekë. Në rast mosbindjeje pas vendosjes së gjobës, struktura përkatëse vendoset forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor dhe personeli përkatës është i detyruar të shërbejë nën drejtimin shtetëror të strukturës gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit”, shkruan Rama.





