Një çift italian, që jetoi së bashku për 60 vjet, humbën jetën të martën prej koronavirusit, ndërsa djali i tyre nuk mundi t’i përqafonte prindërit për herë të fundit.
Severa Belotti, 82 vjeçe, dhe Luigi Carrara, 86 vjeç, i kaluan ditët e fundit të jetës së tyre të mbyllur brenda në banesë, në Albino, qytezë pranë Bergamos, Itali.
Djali i tyre, Luce Carrara thotë se ata ishin bllokuar në shtëpinë e tyre për 8 ditë me rradhë, pa ndihmë mjekësore dhe me temperaturë të lartë deri në 39 gradë Celsius.
Po sipas djalit të tyre, ata janë dërguar në spital vetëm të shtunën dhe të dielën e javës së kaluar. Të martën e kësaj jave, ata vdiqën në orën 09.15 dhe 11.00, me një diferencë prej dy orësh nga njëri-tjetri.
“Ata vdiqën vetëm, sepse ky virus kështu funksionon”,– thotë Luca i pikëlluar.
“Të dashurit tuaj kanë mbetur vetëm dhe ju nuk mund t’u thoni atyre as lamtumirë, t’i përqafoni, t’u qëndroni pranë. Ju nuk mund as t’i gënjeni duke u thonë se gjithçka do të shkojë mirë”,– vijon më tej ai.
Luca ndërkohë është vendosur në karantinë së bashku me gruan dhe dy fëmijët. Ai rrëfen se prindërit e tij qëndruan për shumë kohë të bllokuar në shtëpi, pasi asnjë mjek nuk u shkoi në ndihmë. Ai kishte marrë disa herë në telefon 112 (nr i emergjencës mjekësore në Itali), por askush nuk kishte shkuar tek prindërit e tij.
“Që të jem i qartë, unë nuk fajësoj nr.112”, i tha ai Corriere della Sera-s, së cilës i referohet Daily Mail.





