Kryeministri Edi Rama në një fjalim për situatën e koronavirusit në vend, deklaroi se situata është as më pak e as më shumë se një “luftë e vërtetë”.

Rama u shpreh se Shqipëria do marrë masa, duke shtuar se do mbyllen ambientet me shumë persona të tilla si pubet, diskot dhe palestrat.

“Të kontribojmë të gjithë në këtë luftë. Do ta trajtojmë si armik për të zvogërluar plagët dhe humbjet. Kjo është luftë, pasi në Italinë fqinje nuk ka më asnjë dyqan hapur. Jemi në kushtet ku shumëkush po luan me veten dhe tjerët. Po luan me motrën e vëllain, babanë dhe nënën. Kjo është forcë  e verbër që të këput gjunjët. Po prek gjithë botën. Do mbyllen pabe, palestra. Ne do mbyllim pube, disko, palestra dhe mjedise që mbledhin shumë njerëz. Do i mbyllim të gjitha për të vendosur shëndetin të parin. Kjo gjë duhet bërë”, tha Rama.

Nderkohe administrata, ne ato raste qe mundet, duhet te punoje nga shtepia.

“Është luftë që çdo minutë është sa një vit. Për këtë arsye ne nga dita e nesërme do të çojmë në shtëpi administratën që mund të punojë nga kompjuteri. Nuk do të japim më shërbime në sportele,”– tha kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se jemi në gjendje lufte dhe si e tillë duhet të merren masa të forta. Për Ramën shërbimet e ADISA-s nuk do jenë më në sportele, por vetëm online.

Kryeministri deklaroi edhe lehtesirat per nje nga prinderit qe kane femijet ne kopshte apo shkolla. 

“Të gjithë prindërve që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshti dhe arsimit bazë dhe nuk janë pjesë e kësaj pjesë të administratës ne do i japim menjëherë, lejen për të shkuar ën shtëpi”, tha Rama.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama bëri edhe një herë thirrje për shmangien e panikut ndërsa tha se nuk jemi në kushtet për të mbyllur restorantet, por tha se ata duhet të marrin masa dhe të respektojnë largësinë 2 metra, nga njëra tavolinë te tjetra.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se do të ketë sanksione për ata persona që kanë ardhur nga një vend i prekur, apo kanë takuar persona të prekur, dhe dalin nga shtëpia, duke mos respektuar kushtet e vetë-karantimit për 14 ditë.