Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksa i ka apeluar qytetarëve që të mos bëjnë panik lidhur me situatën e krijuar prej koronavirusit dhe të zbatojnë këshillat që janë thënë, ka reaguar edhe për denoncimin e maskave të skaduara.

Masat e skaduara dhënë personelit mjekësor u denoncuan pak më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Basha shprehet se kjo lëvizje e Ministrisë së Shëndetësisë është kriminale dhe tashmë që epidemia po përparon tregon që qeveria nuk ka marrë masat e duhura. Gjithashtu kryedemokrati kërkon nisjen e hetimeve për të vënë para përgjegjësisë autorët.

“Rastet e personave të infektuar nga koronavirusi sa vinë e po rriten. Siç ju thashë dje nuk është kohe për panik por është koha për kujdes. Kjo është në radhë të pare një thirrje për të rritur kujdesin dhe jo panikun.

Nëse vihemi në panik nuk do të mund të kujdesemi as per veten tonë, as për familjarët tanë dhe kryesisht për të moshuarit, të sëmurët dhe për njerëzit me imunitet të dobët të cilët kanë dhe më shumë nevojë. 
Përvoja botërore tregon se në shumicën e rasteve njerëzit e kanë mposhtur këtë virus. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ndiqen me përpikmëri dhe me përgjegjshmëri këshillat e mjekëve dhe të stafit shëndetësor; duke  shmangur sa të jetë e mundur daljet në ambientet publike dhe kontaktet, duke qenë përmasat e vërtetë dhe reale të infeksionit tani dhe në ditët në vijim janë akoma të panjohura.

Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore të cilat po punojnë me vetëmohim dhe në kushte aspak të përshtatshme. Sot dua të ndaj një shqetësim të jashtëzakonshëm që prek kryesisht mjekët, infermierët dhe stafet shëndetësore. Pak orë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nga terreni denoncoi një fakt tronditës.

Kjo është një kuti standarde e atyre që pretendohen se janë 1 milionë e 200 mijë maska me të cilat është pajisur stafi shëndetësor, njëpërdorimshme dhe ku, në qoftë se fokusoni kamerat tuaja, shikoni që në pjesën e poshtme të kutisë ka një pullë të mbivendosur në këtë kuti, e cila nëse hapet tregon qartë se data e skadencës së këtyre maskave është 2011-a.  

Është kriminale dhe ftoj Prokurorinë të nise menjëherë hetimet për vënien në përdorim të maskave të skaduara. Ky është krim ndaj kujtdo dhe në veçanti ndaj stafeve mjekësore që sot po sakrifikojnë gjithçka, edhe shëndetin e tyre për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve. Ky akt është po kështu tregues i qartë se qeveria është jo vetëm e papërgatitur por dhe e papërgjegjshme.

Me vetëdije është bërë shpërndarja e maskave të skaduara për personelin shëndetësor, të cilave ju është vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës. Është provë e një akti të vetëdijshëm kriminal. Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse të domosdoshme, personeli shëndetësor është i pambrojtur dhe nuk është në gjendje të kryejë detyrat e veta. Kështu rrezikohen vetë personeli shëndetësor, rrezikohen familjarët dhe rrezikohen pacientët.

Në vend që të jenë në linjën e parë të shërbimit ndaj njerëzve ata kthehen në këtë mënyrë në viktimat e para dhe në transmetues të virusit tek qytetarët dhe pacientët që kanë nevojë për ndihmë. Kjo është papërgjegjshmëri totale.

Ndërkohë spitalet janë të papërgatitura për të përballuar fluksin e pritshëm të pacientëve në nevojë, e kam fjalën për ata që do të kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore në mënyrë që të përballen me pasojat e infeksionit. Kapacitet aktuale të spitaleve shqiptare nuk kalojnë 120 njësi të tilla për të trajtuar njëkohësisht jo më shumë se 120 të infektuar që kanë nevojë për këtë trajtim, përndryshe iu kërcënohet jeta.

Kjo është kronikë e një dështimi të paralajmëruar. Prej dy javësh kemi kërkuar marrjen e masave dhe tani që epidemia po përparon duket haptazi se qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarrë, nuk  ka marrë masat e duhura në kohën e duhur. Kjo kohë është harxhuar me fjalë të kota, me vënien në gjumë të opinionit publik dhe nënvleftësim të rrezikut që iu kanoset qytetarëve shqiptarë nga epidemia e koronavirusit.

Është urgjente që kjo sjellje e papërgjegjshme të ndalet menjëherë dhe qeveria të akordojë në radhë të parë fondet e nevojshme për të pajisur stafet mjekësore  dhe spitalet me mjetet e nevojshme dhe cilësorë për t’iu përgjigjur situatës së rëndë” – tha Basha.