Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ata që vijnë nga zonat e kuqe në vendet e prekura duhet të vetëkarantinohen ose të kundërt do të gjobiten me masë administrative.
Rama u shpreh se institucionet e karantinimit janë gati dhe spitali gjithashtu është gati për të përballuar situatën, ndërsa kërkoi ruajtjen e qetësisë. Ai tha se koronavirusi nuk është aspak më i rrezikshëm se malaria e mesjetës apo gripi i derrit në 2008- 2009.
“Një tjetër element që duhet theksuar është vetëizolimi pra vetëkarantinimi nga zona me shpërthim ndërkombëtar apo zonat e kuqe të cilat monitorohen me rigorozitet të skajshëm nga strukturat. Masë administrative kush thyen këtë rregull. Të kufizohen maksimalisht vizitat në spitalin Nënë Tereza për të lehtësuar punën e mjekëve. Dua të theksoj po ashtu se qoftë spitalet dhe ekipet mjekësore janë përcaktuar dhe dihen saktësisht nga të gjithë personat që përfshihen në proces sipas situatës. Është përgjegjësi e madhe e jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve dhe mbarëvajtjen e këtij procesi jo të lehtë që mediat të vetëpërmbahen dhe të kenë vetëdijen se në këtë situatë armiku më kërcënues nuk është koronavirusi por është paniku. Paniku që stimulohet nga lajmet e rreme, nga ekzagjerime të paarsyeshme, nga burime dhe komente të paautorizuara, jo profesionale, jo shkencore. Nuk është e tepërt të thuhet që të jemi aleatë në këtë përballje që shkon përtej dallimeve tona. Ju them të gjithë qytetarëve se faktet, faktet, faktet, faktet, faktet që burojnë nga analiza dinamike në nivelin global e të gjitha zhvillimeve bazuar në raporte konkrete mes të prekurve, popullsisë së përgjithshme, atyre që kalojnë në faza të tjera të përballjes dhe viktimave, flasin. Nuk është murataja e mesjetës. Mos harroni se në vitin 2008- 2009 ka pasur epidemi që ka marrë gjysëm milioni njerëz që do të thotë se nuk jemi përballë një të panjohure. Bota nuk e ka sot një vaksinë ndaj këtij virusi. Por tregon qartë që është një epidemi të cilën mund dhe duhet ta përballojmë sikundër e përballojnë shumë vende të tjera me arsye dhe vetëpërmbajtje. Jemi të ekspozuar ndaj riskut.”– tha Rama.





