Pas konfirmimit zyrtar të dy rasteve të para me koronavirus në vendin tonë, sot në mëngjes do të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë, ku do trajtohen masat shtesë.

Mësohet se mbledhja do të nisë prej orës 09:00 dhe disa nga ministrat do të raportojnë para kryeministrit Edi Rama për punën e bërë deri më tani, por gjithashtu do hartohet plani për ditët në vijim.

Dje në mbrëmje ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila njoftoi për mbledhjen e ekspertëve të Komitetit Teknik.

“Po diskutojmë në këto momente me ekspertët e Komitetit Teknik për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe. Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga ekspertët. Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në vendin tonë”, shkroi Manastirliu.