Koronavirusi ende nuk e ka prekur Shqipërinë, por efektet që shkaktohen në sektorin e turizmit gjatë kësaj periudhe janë të prekshme nga të gjithë operatorët privatë.

Agjencitë turistike dhe ato të udhëtimit në qytetin e Durrësit po e ndjejnë mjaft efektin negativ, që koronavirusi po jep në anulimin e tureve apo të udhëtimeve të planifikuara dhe prenotuara muajt e kaluar.

DurrësLajm kontaktoi me disa prej tyre dhe njëzëri të gjithë pranojnë se situata mjaft e vështirë e krijuar nga përhapja e koronavirusit në Evropë, sidomos në vendin fqinjë, Itali, ka bërë që udhëtimet turistike të ulen në minimumet historike.

Administratori i AlbTours D, Edmond Basho pranon se që nga koha kur ka hapur agjencinë, rreth 2 dekada më parë, asnjëherë nuk është regjistruar një situatë e tillë e pazakontë.

“Koronavirusi ka shkaktuar kufizimin në maksimum të lëvizjes së udhëtarëve, atyre evropianë, por edhe atyre shqiptarë. Situata është kritike. Aktualisht udhëtojnë vetëm ata që kanë ndonjë emergjencë, ndërkohë që të gjitha turet e planifikuara kohë më parë janë anuluar. Madje qytetarët nuk kanë nisur të bëjnë as prenotimet në advancë për pushimet verore, pasi ka shumë paqartësi për muajt në vazhdim, lidhur me përhapjen e koronavirusit. Jemi në minumumet tona historike të prenotimeve”, – thotë Basho.

Afërsia që vendi ynë ka me Italinë dhe shkëmbimet e shumëllojshme që ne kemi me vendin fqinjë ka bërë që shumë turistë të huaj të anulojnë turet, gjë që shoqërohet edhe me humbje të konsiderueshme monetare për operatorët e sektorit të turizmit.

“Grupe nga Izraeli që organizojnë dy herë në vit udhëtime turistike në Itali dhe Shqipëri e anuluan udhëtimin. Dëmi financiar është shumë i madh. Ishin bërë pagesat e biletave të avionit, prenotimet e hoteleve etj, por gjithçka u anulua. Shkak ishte përhapja e madhe dhe në një kohë shumë të shkurtër e koronavirusit në Itali, sidomos në rajonet veriore. Nga kontaktet që unë kam me administratorë hotelesh në Durrës, strukturat hoteliere janë thuajse bosh në këtë periudhë. Sikur të mos mjaftonte tërmeti i 26 nëntorit 2019, tani shfaqja e koronavirusit e bën situatën edhe më kritike” – thotë Arjana Isaku, administratore e Dea Lines.

Bllokimi në masë të madhe i prenotimeve, sidomos drejt vendeve evropiane, por edhe atyre të rajonit po penalizon së tepërmi agjencitë e udhëtimit. Sipas administratorit të agjencisë “Dyrrah”, Agim Gjinali, në këtë periudhë shitja e biletave për fluturimet ajrore apo udhëtimet me traget ka rënë ndjeshëm, rreth 20%.

“Në këtë periudhë udhëtojnë vetëm ato që kanë ndonjë udhëtim që s’mund ta shmangin, ose ata që kanë emergjenca. Nuk dimë ende sa do zgjasë kjo periudhë, por dëmi është për të dyja palët. Si për agjencinë që ka më pak punë dhe më pak xhiro, ashtu edhe për udhëtarët, që nëse zgjedhin të mos udhëtojnë nuk rimbursohen nga kompanitë ajrore apo detare. Nëse kjo situatë do të zgjatet në kohë, dëmi do të jetë edhe më i madh” – thotë Gjinali.

Përveç faktit pozitiv që në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi, një tjetër lajm i mirë është se kompanitë e mëdha turistike që vitet e fundit kanë sjellë mijëra turistë të huaj përgjatë vijës bregdetare të Durrësit, deri më tani nuk i kanë tërhequr prenotimet. Gjithçka do të vendoset në një moment të dytë, duke parë edhe avancimin e koronavirusit dhe rekomandimet e masat që do të ndërmarrë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe qeveritë e vendeve evropiane.

“Nëse situata do të jetë njësoj edhe në muajt në vazhdim, atëherë nuk do të mund të flasim për sezon turistik”, – thotë Edmond Basho.

Vendi ynë ka udhëtime të përditshme ajrore dhe detare me Italinë dhe situata e deritanishme ka ndikuar në kufizimin e tyre, por sipas agjencive, situata nuk është akoma alarmante. Precipitimi i mëtejshëm i situatës mund të stopojë veprimtarinë e operatorëve turistikë. Disa prej kompanive ajrore kanë lejuar shtyrjen e biletave për një afat të caktuar deri në fund të muajit prill, ndërkohë që rimbursimi i vlerës së biletës kryhet vetëm në rastet, kur kompania ndërpret vetë fluturimet.

Nga ana tjetër, udhëtimet e pasagjerëve përmes linjave të trageteve Durrës-Bari, Durrës-Ankona dhe anasjelltas kanë vijuar normalisht, me kontrolle të shtuara mjekësore në portin më të madh në vend.  

M.B.