Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja që ndodhi mbrëmë në Durrës, ku një 50-vjeçar dhunoi gruan dhe më pas tentoi të vetëvarej.Ngjarja ndodhi në lagjen nr.13 rreth orës 22:15 të mbrëmjes së të premtes.
Mësohet se i arrestuari, shtetasi Artan Hasa pasi ishte konfliktuar verbalisht me gruan e tij, E. Hasa, e kishte goditur këtë të fundit me një bisht sëpatë pas koke, në sy të fëmijëve, ndërsa gruaja ka humbur ndjenjat.
Në gjendje të rënduar psikologjike, babai i 4 fëmijëve, ka tentuar të vrasë veten, por është penguar nga fqinjët e tij. Çifti prej kohësh kishin probleme, pasi burri e dhunonte shpesh herë gruan, aq sa kjo e fundit kishte kërkuar ndarjen nga ai.
Hasa punon si shofer, ndërsa gruaja e tij si ndihmës kuzhiniere. Aktualisht gruaja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa burri i saj është arrestuar nga policia.





