Në një konferencë për mediat, Presidenti Ilir Meta ka sqaruar letrën që i dërgoi një ditë më parë Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varheji, për të cilën mazhornaca e akuzoi si përpjekje për të lobuar kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Meta tha se në letrën e tij që u keqinterpretua nga qeveria, shpreh shqetësimin për Gjykatën Kushtetuese, për të cilën akuzon mazhorancën socialiste se po tenton kapjen e saj.
“Pas rrjedhjes nga qeveria në një televizion në vendin tonë ku bëhen publike letra që unë i kisha dërguar Komisionerit për Zgjerimin, gjoja sikur ishte kundër integrimit evropian dhe çeljes së negociatave, të cilën e anonçoi si gjithmonë i pari, spektakolari Tao Tao, dhe që sot ju bë jehonë e paparë nga e nderuara zonja e Bilalit, jam i detyruar në raport më të gjithë qytetarët e vendit për t’u bërë dhe njëherë të qartë letrën që unë si President ja kisha dërguar jo për ta bërë të ditur për publikun, por për të ndihmuar Komisionin Europian për të qenë më i vëmendshëm me një çështje kaq kritike siç është integriteti i Gjykatës Kushtetuese, aq më tepër që në formulimin e bërë krijohej përshtypja sikur problemi ishte krijuar nga interpretimi i ndryshëm që kishte bërë Presidenti i Republikës. Gjë që është tërësisht e pavërtetë. Mbetem shpresëplotë që vendet anëtare do e mbështesin rekomandimin tuaj për çeljen e negociatave gjatë këtij muaji duke marrë parasysh metedologjinë më rigoroze e cila siguron një proces më të prekshëm dhe më të qëndrueshëm të reformave më të nevojshme”, tha Meta.





