Pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, kur kryeministri Edi Rama vendosi të mos e rikandidonte për herë të 4-rt ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, shumë nga njerëzit e tij të besuar, figura të spikatura në PS-në e Durrësit, nuk u “shpërblyen” me postet drejtuese që patën shpresuar të merrnin.
Madje kjo u shoqërua edhe me një valë emërimesh në bashki dhe drejtori lokale apo rajonale të rilindasve nga kryeqyteti. Emërimet shkaktuan një valë zemërimi mes socialistëve durrsakë, zemërim që në jo pak raste e shfaqnin në mbledhje partie, biseda tavolinash, rrjete sociale e madje edhe në prononcime për DurrësLajm.
Megjithëse bashkia ju “rikthye” Dakos pas dorëheqjes së ish-kryebashkiakes Valbona Sako dhe emërimit kryetar në detyrë të krahut të tij të djathtë në bashki për 12 vite, Zhuljen Varfajt, njerëzit e besuar të ish-kreut të bashkisë po presin të emërohen në disa institucione të rëndësishme, ku drejtuesit janë të emëruar nga kryeqyteti.
Rikthimi i fuqishëm i Dakos u vu re edhe në Kongresin e PS-së, ku dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, drejtori i OSHEE Ardian Çela dhe ish-drejtori i portit të Durrësit, aktualisht anëtar i Këshillit Bashkiak, Afrim Bakaj, u zgjodhën anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS.
Sipas burimeve të DurrësLajm, në një nga drejtoritë rajonale pritet të emërohet së shpejti një nga njerëzit pranë kryebashkiakut, i larguar kohë më parë nga një post drejtues.
Në fund të muajit shkurt, në bashki pati një zhvillim të ri, pasi pas gati 3 muajsh në gjendje të jashtëzakonshme që bashkia ishte mangët me nënkryetarë u emëruar nënkryetare e re Emiriana Sako, të cilës kryetari në detyrë Varfaj do t’i delegojë firmën, gjatë kohës së rikuperimit nga një ndërhyrje kirurgjikale që do të realizojë së shpejti.
Bashkia e Durrësit që pas tërmetit të 26 nëntorit drejtohet nga një kryetar në detyrë dhe jo i zgjedhur, ndërsa nuk dihet ende se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale për të zgjedhur kreun e bashkisë që do të votohet nga qytetarët durrsakë.
Gjithsesi, lëvizjet e fundit në bashki dhe ato që pritet të ndodhin së shpejti në disa drejtori të rëndësishme, dëshmojnë se Dako dhe PS-ja e Durrësit po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato do të mbahen. “Shpërblimi” me poste drejtuese i njerëzve të besuar dhe mbledhës votash në komunitetet ku ata kanë ndikim, ka qenë një praktikë e njohur në Durrës në 19 vite që PS drejton qytetin bregdetar.
M.B.





