Bashkia e Durrësit ka vijuar turin e dëgjesave publike me qytetarët në lidhje me katër zonat për zhvillim të përcaktuara në qytetin bregdetar dhe miratuar me vendim të këshillit të ministrave. Dëgjesa publike e rradhës u zhvillua në njësinë administrative nr.5 aty ku ndodhen dy nga katër zonat për zhvillim që janë gjithsej në Bashkinë e Durrësit.

Në këtë njësi administrative ndodhen zona e rindërtimit 1 dhe zona 3, që janë planifikuar për t’u ndërtuar në Shkozet. Në njësinë administrative nr.5 përfshihen lagjet nr.13, 14 dhe 17, ku janë regjistruar edhe dëmet më të rënda nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit 2019.

“Kreu i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj dhe zyrtarë e ekspertë të Bashkisë së Durrësit kanë njohur banorët pjesëmarrës me zonat e zhvillimit dhe janë ndalur veçanërisht në dy zonat që i përkasin kësaj njësie.

Kryebashkiaku Varfaj ka shpjeguar rëndësinë e këtyre zonave të rindërtimit jo vetëm për banorët e dëmtuar nga tërmeti, por për të gjithë qytetin pasi këto zona zhvillimi janë lagje tërësisht të reja me gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Banorët e kësaj njësie kanë zhvilluar diskutime të shumta dhe i kanë drejtuar pyetje të ndryshme kryebashkiakut dhe stafit të tij lidhur me këto zona zhvillimi, por edhe me stadin aktual të punës që po bëhet në qytet për rindërtimin”,– njofton bashkia.