Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla kritikoi Presidentin Ilir Meta për atë çfarë kishte biseduar me ministrat e Jashtëm të 4 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Balla tha se 4 ministrat e vendeve të BE-së kishin dalë nga takimi me kreun e shtetit duke dëgjuar kritika për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Jemi ndjerë disi të trishtuar nga qasja që Presidenti i Republikës 1 orë përpara takimit me ne kishte pasur me 4 krerët e diplomacisë së katër vendeve përkatëse. Katër ministra që kishin dalë nga ai takim a thua kishin takuar Presidentin e një vendi kundërshtar me Shqipërinë, jo Presidentin e Shqipërisë. Një President që nga fillimi deri në fund kishte hedhur vrer mbi Shqipërinë. Unë e kuptoj strategjinë politike të gjithkujt. Por besoj që mbi të gjitha besoj që në qasjen dhe aktivitetin tonë politik duhet të kemi qasje duke shprehur vlerësim, dashuri për vendin tonë. Nuk dua të zgjatem më tej se të filloj dhe të sqaroj këtu se si me lloj-lloj letrash drejtuar Presidentëve apo Kryeministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, prej disa ditësh Ilir Meta, bashkë me ndonjë faktor tjetër të opozitës se më vjen keq këtu se si përfundoi Partia Demokratike të jetë shtojcë e Ilir Metës, ka një përpjekje për të dëmtuar sadopak vlerësimin që dha Komisioni Hetimor të hënën dhe që ne mezi presim e jemi besimplotë që në 26-27-28 Mars ne të marrim lajm pozitiv”, deklaroi Balla.