Përgjatë këtyre tre muajve pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, të shumtë kanë qenë banorët e pallateve të dëmtuara rëndë që kanë zhvilluar protesta para godinave shumëkatëshe apo bashkisë, duke kërkuar përgjigje konkrete për fatin e objekteve. Në të gjitha rastet, bashkia e Durrësit, në reagimin e saj, ka nënvizuar se akt-konstatimi është dërguar për ekspertizë të thelluar në Institutin e Ndërtimit dhe do të jetë pikërisht ky institucion që do të japë përgjigjen përfundimtare.

Për të marrë përgjigje për pyetjet e ngritura nga qytetarë të shumtë të qytetit bregdetar, DurrësLajm kontaktoi me drejtorin e Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu.

Nga të dhënat që DurrësLajm ka siguruar, pranë Institutit të Ndërtimit janë dërguar për ekspertiza të thelluar 260 pallate dhe 791 ndërtesa 1-3 katëshe, shkolla dhe biznese. Instituti i Ndërtimit ka shqyrtuar me prioritet javët e para pas tërmetit të gjitha akt ekspertimet e shkollave, nga të cilat shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto” u vendos të shembej për t’u ndërtuar nga e para.

Nga biseda telefonike me drejtorin Hysenlliu mësuam se brenda datës 20 mars pritet të përfundojnë të gjitha ekspertizat e thelluara të bashkisë Durrës.

“Qeveria na ka lënë afat deri në fund të këtij muaji, por unë besoj se brenda datës 20 mars do t’i përfundojmë të gjitha. Kemi përfunduar me objektet 1-3 katëshe me dëmtime të rënda dhe 70% e tyre janë për t’u shembur, sepse është i pamundur apo mjaft i kushtueshëm riparimi i tyre. Të gjitha këto objekte do të përfshihen në programin e rindërtimit”, – tha Hysenlliu.

Situata në Durrës është më kritike përsa i përket pallateve shumëkatëshe, Shumë prej tyre janë shpallur të pabanueshme, disa kanë dëmtime të kategorisë DS4 dhe DS5 dhe janë anuar deri në 60 centimetra. Fati i këtyre godinave shumëkatëshe do të varet nga disa faktorë: si provat laboratorike, llogaritja e kostos për riparimin apo rikthimin në gjendjen fillestare etj.

Drejtori Hysenlliu nuk mohon faktin që ndonjë apo disa pallate në Durrës mund të shemben, por ende nuk ka një vendim përfundimtar të institutit.

“Është e vërtetë se disa pallate shumëkatëshe janë anuar apo kanë dëmtime në kolona.  Me konsultimin që kemi bërë me eurokodet, pallatet e anuara janë brenda kufinjve të pranueshëm. Ekziston mundësia edhe për të ndërhyrë dhe për t’i rikthyer ato në gjendjen fillestare, por pa llogaritur koston e ndërhyrjes nuk mund të flas me siguri të plotë për fatin e tyre. Kur të përmbyllim ekspertizat e thelluara, atëherë mund të flas me shifra konkrete. Ekspertizat janë më të thjeshta tek godinat me pak kate, ndërsa në rastin e pallateve problematikat janë të shumëllojshme prandaj të presim përfundimin e ekspertëve”,- tha Hysenlliu për DurrësLajm.

Sipas drejtorit Hysenlliu disa ekspertiza të thelluara të përfunduara janë dërguar pranë bashkisë Durrës, ndërsa të tjerat do të nisen brenda fundit të këtij muaji. Ndërkohë, bashkia Durrës ka nisur turin e dëgjesave publike për programin e rindërtimit. Dy ditë më parë, kryetari në detyrë Zhuljen Varfaj dhe drejtues të bashkisë u takuan me banorë të dëmtuar rëndë nga tërmeti në njësinë administrative nr.6.

Durrësi është bashkia më e dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.4 ballë, ndërkohë që qeveria ka përcaktuar 4 zona për zhvillim që janë: zona 1 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5, zona 2 në lagjen 18 në njësinë administrative 4, zona 3 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5 dhe zona 4 në zonën e spitallës në njësinë administrative 6.

Deri më tani bashkia ka dhënë 88 leje ndërtimi. Nga këto, 60 leje janë për objekte banimi (kryesisht pallate) që kanë në total 2108 apartamente (njësi banimi). Ndërsa 28 janë njësi shërbimi (hotele, restorante, kompani të ndryshme).

M.B.