Pas 4 ditësh është 8 marsi, Festa Ndërkombëtare e Gruas. Në Shqipëri është bërë traditë që në këtë ditë femrat mblidhen me shoqërinë dhe festojnë. Shumë nga lokalet janë të prenotuara dhe muzika do të kumbojë fort.

Por në Durrës, Manjola Cuku dhe Hajdije Tasuni nuk do mund të festojnë. Ato mbyllën sytë përgjithmonë në muajin shkurt nga dhuna barbare e burrave të tyre. Vrasja e tyre makabre tronditi opinionin publik, por vetëm kaq. Fatkeqësisht ato do të shndërrohen në statistika rutinë për rastet e “Dhunës në familje”. Derisa, (larg qoftë!) një tjetër grua të humbë jetën dhe emrat e tyre të artikulohen sërish nga mediet për një ditë dhe më pas të bien sërish në harresë.

Ajo që është më e dhimbshme është se bashkë me Manjolën dhe Hajdijen nuk do mund të festojnë edhe ato nëna, gra, motra apo vajza që i janë drejtuar policisë për të kërkuar urdhër mbrojtjeje për dhunën e ushtruar mbi ta nga djemtë, bashkëshortët, vëllezërit, baballarët. Nuk do të festojnë as ato gra që megjithëse dhunohen nuk gjejnë ende kurajon të denoncojnë dhunuesin. Mund të ketë dhe raste që pas festës me shoqet të dhunohen vetëm për faktin pse shkuan të festonin…

Deri në fund të vitit 2018, kur Policia e Shtetit publikonte në faqen zyrtare të gjitha rastet e dhunës në familje, kërkesat për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes dhe arrestimet e dhunuesve, Durrësi renditej ndër qytetet me rastet më të shumta. Thuajse çdo ditë, në komunikatën ditore të qarkut të Durrësit renditeshin 2,3 apo dhe më shumë kërkesë padi për urdhër mbrojtje.

Për fat të keq, dhuna në familje vazhdon të mbetet një plagë e hapur për shoqërinë edhe në vitin 2019 dhe janar-shkurt 2020. Statistikat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës për vitin 2019 flasin për 544 kërkesë padi për urdhër mbrojtje. Mesatarisht 1.5 gra dhunohen fizikisht apo psikologjikisht çdo ditë në qarkun e Durrësit. Ndërsa në janar-shkurt 2020 janë regjistruar 92 kërkesë padi për urdhër mbrojtje, me një mesatare sërish 1,5 gra të dhunuara në ditë.

Por ajo që duhet të konsiderohet si një këmbanë alarmi është fakti se në dy muajt e parë të vitit 2020, janë arrestuar për dhunë në familje 15 persona, nga 31 që kanë qenë gjithsej përgjatë vitit 2019. Pra gjysma e të arrestuarve të një viti më parë, në vetëm 2 muajt e parë të këtij viti… Ndërsa vlerësohet puna e mirë e policisë që me arrestimet ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës në familje, nga ana tjetër shtimi i rasteve të rënda dëshmon sesa rrezikojnë këto gra që në të ardhmen të kthehen në viktimat e rradhës.

Statistikat për dhunën në familje për qarkun e Durrësit:

Viti 2019

  • Kërkesë padi (urdhra mbrojtje) 544;
  • Dhunë në familje 147 raste;
  • 31 të arrestuar për veprën penale “Dhunë në familje”

Janar-shkurt 2020

  • Kërkesë padi (urdhra mbrojtje) 92;
  • Dhunë në familje 40 raste;
  • 15 të arrestuar për veprën penale “Dhunë në familje”

Vrasjet makabre të grave në 2 muajt e parë të vitit 2020

Që në fillim të vitit, opinioni publik do të tronditej nga vrasja makabre e Drita Saliajt, në Mallakastër, më datë 6 janar, e cila u gjet e dhunuar dhe e mbytur në rezervuar. Për vrasjen e saj u arrestuan 3 të rinj, një prej të cilëve nipi i burrit të saj.

Më 10 janar, Enkeleda Çapoku, nënë e një vajze adoleshente, do humbte jetën në shtëpinë e saj, e vrarë nga kunati, për të cilin kishte kërkuar urdhër mbrojtje. Erdet Çapoku do të arrestohej orë më vonë nga policia, pasi kishte shkuar të flinte pas krimit makabër.

Më 2 shkurt, Manjola Cuku do të linte jetimë 3 fëmijët e mitur, pasi u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj Lulzimi. Ky i fundit u largua menjëherë pas krimit nga shtëpia, duke lënë 3 fëmijët me kufomën e gjakosur të nënës së tyre. U vetëdorëzua në polici pak orë më vonë.

Esmeralda Filopati u ekzekutua nga ish-bashkëshorti së bashku me vëllanë e saj në derë të shtëpisë, më 25 shkurt. Pas dhunës disa vjeçare Esmeralda kishte gjetur kurajon ta denonconte ish-burrin, Fatmir Kolecaj, i cili kishte bërë edhe burg për dhunë në familje, por kjo nuk ia shpëtoi jetën.

Hajdije Tasuni u vra në dyqan nga bashkëshorti i saj, Ruzhdiu, më 26 shkurt. Ngjarja e regjistruar në mes të ditës, në mes të Durrësit tronditi opinionin publik. Në rrjete sociale, shumë njerëz kërkonin rikthimin e dënimit me vdekje për këto raste.

Në të njëjtën mënyrë patën reaguar edhe orët e para pas vrasjes së Hazbije Kukës në Durrës, në korrik 2019, e cila humbi jetën nga dora e bashkëshortit, Ardianit. Ky i fundit u gjet i mbytur pak orë më vonë në sektor Rinia. Djali i mitur i çiftit humbi pa u mbushur 24 orë të dy prindërit…

Gratë e vrara në 2 muajt e parë të 2020-ës:

  • Drita Saliaj, më 6 janar
  • Enkeleda Çapoku, më 10 janar
  • Manjola Cuku, 2 shkurt
  • Esmeralda Filopati, 25 shkurt
  • Hajdije Tasuni, 26 shkurt

8 marsi i festës apo 8 marsi i protestës

“Unë jam Ana dhe sot varrosa Dijen. Uroj që ti mos të bëhesh kurrë Ana”. Kështu e mbyllte postimin e saj në rrjete sociale, vajza e së ndjerës Hajdije Tasuni, Santiljana, një ditë pas krimit makabër. Një vajzë në lot për humbjen e nënës, një nënë në lot për humbjen e së bijës, Vajza dhe nëna e Enkeleda Çapokut e panë 38-vjeçaren, ndërsa jepte shpirt para syve të tyre.

8 marsi është një datë që lindi pas protestave të grave për të kërkuar të drejtat e tyre, në shekullin XIX. Jemi në shekullin XXI, thuajse 200 vite më vonë, dhe gratë nuk dalin për të protestuar për të drejtën e jetës.

Në manifestimin e dy ditëve më parë, të thirrur nga presidenti Meta, kishte me qindra gra, nga Tirana dhe nga rrethet. Sikur të gjitha bashkë, por dhe shumë të tjera të dilnin për të protestuar në qytetet e tyre sa herë që një grua vritet, ndoshta numri i femrave të vrara apo dhunuara do të pakësohej. Ndoshta opinioni publik do të ishte më i ndërgjegjësuar për të telefonuar policinë në rastin kur dëgjon klithmat e një gruaje që dhunohet. Ndoshta do të ishte më i ndërgjegjësuar të denonconte një burrë të armatosur apo dhunues serial.

Ndoshta nuk do të kishim më Drita, Enkeleda, Manjola, Enkeleda apo Hajdije të vrara…

M.B.