Të gjithë duken të implikuar në grabitjen e pronave në Gjirin e Lalzit. Në procedimin disiplinor ndaj gjyqtares Joana Qeleshi, ishte propozuar shkarkimi i saj. Shkeljet e renditura nga inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk u morën në konsideratë nga kolegët e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që rrëzuan kërkesën.

Top Story ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së KLD-së. Gjatë mbrojtjes, gjyqtarja Qeleshi thotë se prona e zotit Seçuni prej 45 mijë metrash katrorë, nuk bënte pjesë në tokën prej 28 hektarësh të hequr nga Fondi Pyjor për llogari të Omnix Albania, dhe në këto kushte nuk ishte krijuar mbivendosje.

Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë lind pyetja, pse zoti Seçuni ka kërkuar në Gjykatën Administrative pikërisht shfuqizimin e pjesshëm të VKM-së numër 585 datë 13.7.2016?

Ai kërkon shfuqizimin e pjesshëm të VKM-së, pra vetëm për 45 mijë metrat që i dha gjyqtarja Qeleshi. Kjo, rrëzon pikërisht mbrojtjen që bëri gjyqtarja në KLD, që pretendonte se nuk kishte mbivendosje. Askush nuk tentoi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që të thellohej më tej në këtë problem.

“Ata që patën mbrojtje politike nuk u prekën, avokatja e shtetit pati mbrojtje politike, e mbrojti qeveria, Kryeministri, gjyqtarja po e mbrojti KLD, ishte një gjyqtare goxha aktive asaj kohe se me demek po bënte dhe Refomrën në Drejtësi, tjetër gjë se sot ka dhënë dorëheqjen, nuk rezulton askund”, thotë Ylli Manjani, ish – Ministër i Drejtësisë.

Lidhur me procedimin disiplinor të iniciuar ndaj gjyqtares Qeleshi, ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani deklaron publikisht në këtë intervistë, se ka pasur ndërhyrje të shumta për tu tërhequr, që nga oligarkë e deri tek nivelet më të larta të politikës.

“Mund t’ju them këtë gjë që për atë procedim disiplinor kam pas ndërhyrje të jashtëzakonshme. Jo me emra jo, por mund t’ju them që po, nga persona të rëndësishëm, në politikë, biznes. Sigurisht nuk u tërhoqa, kërkesën e çova në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, siç më takonte të bëja detyrën. Mendoj që detyra e Ministrit të Drejtësisë këtu ka mbaruar”, thotë Manjani.

Në fakt, Qeleshi e cila ka shërbyer si kryetare e Gjykatës së Durrësit, u dorëhoq nga detyra pa iu nënshtruar procesit të Vettingut. Top Channel