Ndryshimi i klimës paraqet një kërcënim ekzistencial për plazhet me rërë të botës, gjysma e të cilëve, sipas një studimi të ri, mund të zhduken deri në fund të shekullit.
Ky studim u botua në revistën shkencore “Journal Nature Climate Change” dhe u realizua nga shkencëtarë të Qendrës së Përbashkët kërkimore të BE-së, si dhe universitete në Spanjë, Portugali dhe Holandë.
Që në 2050-tën, sipas hartuesve të studimit, disa vija bregdetare mund të mos jenë më ato që njohim sot, duke qenë se përballen me një erozion të fuqishëm. Niveli i plazheve të humbura do të ndryshojë sipas vendndodhjes, megjithatë studimi tregon se shumë zona me popullsi të dendur, përfshirë ato përgjatë Bregut Lindor të SHBA-së, Azisë së Jugut dhe Europës Qendrore, deri në vitin 2100 mund ta shohin ujin të gllabërojë deri në 100 metra tokë.
“Nëse kalohet niveli i 100 metrave, ka shumë të ngjarë që plazhi të zhduket, sepse plot plazhe nëpër botë janë edhe më të vogla se kaq. Në një farë mënyre, ne e konsiderojmë këtë si një vlerësim konservator”, tha Michalis Vousdoukas, oceanograf dhe zyrtar shkencor pranë Komisionit Europian, i cili është dhe autor kryesor i studimit.
Duke përdorur projeksionet e përditësuara të rritjes së nivelit të detit, studiuesit analizuan se çfarë do të ndodhë me plazhet në një botë ku deti është më i lartë dhe stuhitë, më të dhunshme e shkatërruese. Ata morën në konsideratë dhe procese natyrore si erozioni i dallgëve apo gjeologjia e vetë plazhit, si dhe faktorët njerëzorë përfshirë ndërtimet në zonat bregdetare apo digat.





