“DurrësLajm” sjell pamje nga vendi i ngjarjes, një ditë pasi ndodhi atentati që shënoi dy viktima, të rinjtë Dorjan Shkoza, 35 vjeç nga Shijaku dhe Anxhelo Avdiu, 24 vjeç nga Nishtulla.

Deri më tani, nuk dihet ende se cila ka qenë shënjestra e atentatit apo nëse kanë qenë që të dy viktimat.

Burimet nga grupi hetimor bënë me dije për “DurrësLajm” se dyshohet që njëri prej viktimave të jetë përfshirë në pazare dhe ngjarje kriminale, por deri tani nuk janë dhënë të dhëna të mjaftueshme policisë që do t’i çonte drejt ekzekutorëve.

40 persona janë shoqëruar deri më tani në polici, për t’u marrë në pyetje për krimin e rëndë. “DurrësLajm” mëson se janë kryesisht familjarët e dy viktimave dhe shokë e dëshmimtare okularë, të cilët policia po i pyet rreth konflikteve të mundshme që kishin dy viktimat mbi të kaluarën e tyre.