Arsenali po kalon me të vërtetë një moment të vështirë, por jo vetëm për faj të eliminimit nga Liga e Europës.
Emergjenca e Koronavirusit që ka përfshirë tashmë edhe kontinentin plak shqetëson natyrisht edhe Anglinë dhe familjet e futbollistëve në veçanti, të cilët janë gjithnjë në lëvizje. Përpara sfidës së 1/8-ave të Kupës FA kundër Portsmëthit, trajneri i “Topçinjve” thotë:
“Nuk jemi në ankth, por të gjithë lexojmë ato që thuhen në media. Familjet tona janë të shqetësuara. Kemi shumë lojtarë të huaj dhe është normale që familjarët e tyre të jenë të alarmuar. Klubi dhe autoritetet janë në kontakt, ne po ndjekim udhëzimet e mjekut të klubit. Deri tani protokollet kanë qenë të mjaftueshme, por nuk e dimë se si do të vijojë situata. Në vende të tjera janë marrë vendime të vështira”.





