Mbrëmjen e të shtunës Galatasaray humbi 1-2 në shtëpi kundër spanjollëve të Villarreal. Në një ndeshje që duhet të ishte miqësore, nuk munguan grushtet dhe kartonat, përfshi të kuq.

Miqtë nga Spanja zhbllokuan ndeshjen në minutën e tretë me penalltinë e kthyer në gol nga Ayoze Perez. Vetëm disa sekonda më vonë vendasit e Galatasaray mbetën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Okan Burak.

Galatasaray reagoi dhe në minutën e 5-të i përhershmi Victor Osimhen barazoi rezultatin në 1-1 pas asistit të Elmali.Fundi i pjesës së parë ishte dramatik, kjo pasi në minutën e 39-të pati një përleshje në fushë.

Osimhen i Galatasarayt sulmoi me grushta mbrojtësin Mourino, aq sa u desh ndërhyrja e futbollistëve të tjerë në fushë që situata të qetësohej. Arbitri Saglam u mjaftua me nxjerrjen e dy kartonave të verdhë për futbollistët.