Kategoria Superiore do të rikthehet këtë mesjavë, pasi është vendosur që të gjitha takimet e javës së 25-të të zhvillohen ditën e mërkurë, në dy orare të ndryshme, 14:00 dhe 17:00, ndërsa si gjithmonë do të transmetohen vetëm në ekranin e Supersport.

Kështu në orën 14:00 Laçi do të kërkojë suksesin e radhës përballë Bylisit, për të konsoliduar pozitat në zonën europiane, teksa përballë do të ketë mallakastriotët, që nuk kanë provuar ende shijen e fitores në kampionat për vitin 2020.Po në të njëjtën orë, Skënderbeu do të presë në Korçë Luftëtarin, në një sfidë ku fitorja është detyrim për korçarët, duke parë që përballë do të kenë një skuadër të mbushur me emra të rinj dhe me një këmbë në Kategorinë e Parë.

Korçarët e Ilir Dajës po bëjnë mjaft mirë në vitin 2020, ndërsa dje u rikthye në dispozicion edhe Bajram Jashanica, ndaj një vend në zonën europiane është tërësisht i mundshëm, nëse skuadra do të vijojë me këtë ritëm. Në orën 17:00, Partizani do të provojë të marrë veten nga humbja e thellë në derbi, pasi do të presë në kryeqytet skuadrën e Teutës, një kundërshtar mjaft i vështirë, që vetëm dje tregoi forcën ndaj Kukësit.

“Të kuqtë” janë shkëputur ndjeshëm nga kreu dhe për të vijuar të shpresojnë ende te titulli kampion, duhet të marrin maksimumin nesër, pasi në të kundërt do të komplikojnë edhe garën për një vend në kupat e Europës.Transfertë mjaft e lehtë në letër për Tiranën kryesuese, që do të udhëtojë në Vlorë, për t’u përballur me Flamurtarin e vendit të fundit.

Vlonjatët kanë shpresa minimale për mbijetesë, megjithatë javët e fundit kanë treguar se po respektojnë kampionatin, duke u angazhuar maksimalisht, ndaj kryeqytetasit do të duhet ta vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin, për të ruajtur distancën nga ndjekëset.

Tirana ka fituar të gjitha ndeshjet në vitin 2020, përveç asaj ndaj Skënderbeut, të cilën e mbylli në barazim, ndaj edhe në Vlorë nuk priten hapa fals, ndonëse i takon trajnerit Egbo që të menaxhojë entuziazmin tek të tijtë.

Po në orën 17:00 do të zhvillohet edhe përballja mes Kukësit dhe Vllaznisë, ku verilindorët do të provojnë të rikthehen menjëherë te fitorja, që mungon prej tre javësh dhe që ka bërë të mbeten plot 4 pikë pas Tiranës në renditje.

Të dy skuadrat nuk po kalojnë një moment të mirë dhe Kukësi vendosi të shkarkojë trajnerin Shpëtim Duro pasditen e djeshme, ndërsa edhe në Shkodër trajneri Mirsad Jonuz ka folur me tone aspak të qeta, megjithatë favoritë në këtë takim mbeten verilindorët.