Sherif Kallaku, rikthehet si në ditët më të mirë. Pasi humbi penalltinë në Korçë, duket se sot mori përsipër një tjetër 11-metërsh duke e kthyer në gol.
“Në Korçë kishte edhe presion penalltia, por fati nuk ishte me mua në atë takim. Ndërsa sot ishte fati me mua, të paktën unë kështu e gjykoj. Realisht sot ekipi ka bërë ndeshjen më të mirë të sezonit dhe të them të drejtën patëm shanse që duhet ta fitonim ndeshjen. Barazimin nuk e meritonim, duhej që ta fitonim ndeshjen. Me pak fat na takonin 3 pikët. Tashmë jemi në lojë me këtë pikë për objektivat që ne kemi”, – tha Kallaku.
Forma
Kallaku ka pasur edhe oshilacione në komente të caktuara të garës dhe i pyetur, se sa varet Teuta nga forma e tij, mesfushori ka shtuar se:
“Unë jam mësuar me përgjegjësi dhe të them të drejtën është skuadra në plan të parë ajo që më intereson. Gjithmonë jam kërkues ndaj vetes, dua të jap më të mirën. Ka pasur momente që nuk kam pasur formën më të mirë, por unë dua të bëj shumë për Teutën”, – tha Kallaku.
Dopieta
“Ka qenë dopieta ime e parë dhe duke parë mënyrën se si shkoi ndeshja, mbase ka pasur edhe tifozë që shfryjnë ndaj ekipit. Në stadium tifozët duhet që të vijnë për të na mbështetur, e jo për të na ofenduar siç edhe ndodh në shumë takime, sepse ne në fushë japim më të mirën. Tashmë mund t’i kërkoj falje ndokujt kujt mund t’i jem drejtuar, por ka qenë veç një moment festimi”, – ka pohuar Sherif Kallaku, një nga më të mirët e skuadrës së Teutës në sfidën e sotme ndaj Kukësit dhe jo vetëm.





