I riu nga Durrësi, Albi Albino, është bërë protagonist në disa media italiane, të cilat nuk kanë nguruar ta konsiderojnë “hero”. Që nga dita e martë, i riu 25-vjeçar qëndron në karantinë së bashku me klientët dhe stafin e hotelit Bel Sit, në Alassio, në rajonin e Ligurias për shkak të rrezikut të koronavirusit. Hoteli u vu në karantinë, pasi një nga klientët, një grua 72-vjeçare, rezultoi pozitive.

Gjatë këtyre ditëve mjaft të vështira për popullin italian, Alber Baca, emri i vërtetë i të riut nga Durrësi, me përkushtimin e treguar për të ndihmuar njerëzit e mbyllur në karantinë ka tërhequr vëmendjen edhe të kreut të rajonit të Ligurias, Giovanni Toti. Përmes një postimi në rrjete sociale, Toti ka falenderuar personalisht Alberin dhe i ka premtuar ndihmën e tij për të marrë nënshtetësinë italiane.

“Faleminderit Albi, do të mundohemi që të marrësh shtetësinë italiane që aq shumë e dëshiron. Sepse ti je njëri prej nesh”,- shkruante Toti një ditë më parë në rrjete sociale.                                            

DurrësLajm komunikoi me Alberin për të mësuar më shumë mbi ndjesitë e tij gjatë këtyre ditëve dhe pse vendosi t’u vijë në ndihmë njerëzve në këtë kohë, kur paniku ka përfshirë popullsinë e vendit fqinjë, Itali.

DurrësLajm – Alber sa ditë keni në karantinë dhe sa persona ndodheni aty?

Alber BacaJemi të mbyllur që prej ditës së martë. Në hotel janë gjithsej rreth 45 persona. Kemi qenë rreth 80 në fillim, por një grup nga Asti i morën dhe i çuan në Piemonte.  33 persona janë klientë, ndërsa 12 persona jemi nga stafi i hotelit.

DurrësLajm – A ka persona me komplikime mes jush? Ti vetë si ndihesh, ke ndonjë shqetësim?

Alber BacaJo, nuk ka persona me komplikime. Të gjithë kanë bërë tamponet dhe po presin rezultatet. Unë e kam bërë tamponin dhe rezultoi negativ. Që në momentin kur nisa të ndihmoj të tjerët nuk kam pasur frikë. Jam munduar t’u vij atyre sa më shumë në ndihmë dhe të ruaj qetësinë. E kam thënë që në fillim dhe vazhdoj ta them: Do jem i fundit që do dal nga ky hotel.

DurrësLajm –  A ke komunikuar me të familjarët gjatë këtyre ditëve? A kanë ata frikë për ty?

Alber Baca Po, flas çdo ditë me kamerë. Ata më kanë thënë që të rri i qetë, sepse çdo gjë do të kalojë shpejt.

DurrësLajm – Kreu i rajonit të Ligurias, Giovanni Toti, të falenderoi personalisht në një status në rrjete sociale dhe të premtoi nënshtetësinë italiane. Si u ndjeve?

Alber BacaU ndjeva shumë mirë. Giovanni Toti më mori dje në telefon dhe folëm. Ai më falenderoi dhe ashtu siç ka shkruar edhe në postim, më premtoi se do të më ndihmojë për nënshtetësinë. Gjithsesi, unë këtë që po bëj nuk po e bëj për të përfituar nënshtetesinë, por sepse më pëlqen t’u vij në ndihmë njerëzve, sidomos në çaste të vështira. E falenderoj Toti-n dhe shpresoj që ta marr nënshtetësinë italiane. Jetoj në këtë vend që nga viti 2012 dhe sigurisht që kam dëshirë të bëj dokumentet.

Alber Baca (Albi Albino), djali i lindur në Shkozet të Durrësit përveçse mori vëmendjen e kreut të rajonit të Ligurias ka rrëmbyer vëmendjen edhe të medieve të vendit fqinjë, që kanë shkruar artikuj për të. Që nga e premtja e javës së kaluar, Italia, sidomos rajonet në veri të vendit, jetojnë nën frikën e koronavirusit, që ka prekur shumë persona. Bilanci i autoriteteve italiane të shëndetësisë, një ditë më parë, fliste për 21 të vdekur dhe 822 të prekur nga koronavirusi. Italia rezulton vendi më i prekur nga ky lloj virusi në Evropë dhe autoritetet aty kanë ndërmarrë një sërë masash drastike për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.

M.B.