Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Operacioni “Kryqëzimi” çoi në pranga 4 persona, mes tyre një femër nga Vlora dhe 3 nga Durrësi,  ndërsa 1 tjetër adoleshent po nga Durrësi nga u shpall në kërkim. Ata u kapën duke transportuar 8 shtetas të huaj.

Të arrestuarit janë shtetasit  K. S., 24 vjeçe, banuese në Vlorë; F. K., 24 vjeç; R. D., 19 vjeç; R. H., 20 vjeç, banues në Durrës.

Ndërsa u shpall në kërkim R. K., 17 vjeç, banues në Durrës.

“Shtetasit e mësipërm, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë pranë kryqëzimit të fshatit Libonik, Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetet tip “SAAB”, “Fiat” dhe “Mercedes-Benz”, tetë shtetas të huaj, të cilëve nga hetimet e kryera rezulton se iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës prej 150 euro secilit”, thotë policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 automjete dhe 6 celularë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.