Ky është 35-vjeçari Refit Buzi, i cili dyshohet si autor i ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas informacioneve paraprake, Buzi ka shkuar në banesën e ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, ku dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu, duke e lënë të vdekur në vend.
Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra e tij, Belere Plaka, ndërsa më pas 35-vjeçari u largua nga vendngjarja duke marrë me vete ish-bashkëshorten.
Ngjarja dyshohet se është paraprirë nga konflikte të vazhdueshme mes autorit të dyshuar dhe familjes së ish-bashkëshortes. Familjarët kanë deklaruar se Buzi kishte pasur më herët probleme ligjore për shkak të kërcënimeve ndaj tyre, ndërsa pretendojnë se ai kishte përdorur edhe armë për t’i frikësuar.
Ai banonte në të njëjtën zonë me familjen Plaka, ku ndodhi edhe krimi. Burimet bëjnë me dije se 35-vjeçari kishte emigruar në Angli dhe aty ishte përfshirë në një konflikt për ‘shtëpitë e barit’.





