Katër viktima e dhjetëra të tjerë të prekur në shtetin fqinj në Itali kanë sjellë jo pak alarm te populli në të dy brigjet që lag Adriatiku. Kjo sepse shkëmbimi midis dy vendeve i njerëzve dhe mallrave është mjaft i madh, ndërsa nuk ka asnjë ndërprerje të shkëmbimit tregtar apo të lëvizjes së qytetarëve.

Sot në portin e Durrësit mbërritën dy tragete nga Bari, ndërsa pasagjerët e mbërritur janë si nga Jugu i Italisë ashtu edhe nga Veriu, ku janë vendosur në karantinë 50 mijë persona. Pasagjerët thonë se në Bari nuk ka patur kontrolle, ndërsa me zbarkimin në portin e Durrësit kontrolli nga inspektorët ka qenë jo tek të gjithë pasagjerët.

Pasagjerët thonë se në Itali situata është alarmante në Veri. Në portin e Durrësit kontrollet nga inspektorët e higjienës bëjnë kontrollin e pasagjerëve të dyshuar, ndërsa deri tani nuk është evidentuar asnjë rast i dyshuar me koronavirus. E jo vetëm pasagjerët që hyjnë kryesisht nga Italia, por edhe marinarët vendas e të huaj që hyjnë me anijet tregtare, kalojnë në të njëtët filtra mbrojtës për të verifikuar në çfarë vendesh kanë qëndruar.

Pasagjerët e mbërritur kanë vend origjine vatrat ku është shfaqur infeksioni në Itali. Po ashtu po mbahen nën vëzhgim edhe marinarët e mjeteve detare tregtare të cilët nuk vijnë nga portet kineze.

K.H.