Paraditen e sotme në sheshin “Liria” të qytetit është zhvilluar aktiviteti “Një hap për Durrësin”. 

Një vrapim prej 5 km, dhe jo një garë e mirëfilltë, me qëllim ndërgjegjësues, pasi fondet do të përdoren për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Njazi Mastori”, në njësinë administrative Sukth.

Pjesë e garës janë bërë 1 mijë persona të moshave të ndryshme. Organizatorja e aktivitetit, Deborah Keçi tha se numri i pjesëmarrësve në këtë maratonë i ka kaluar pritshmëritë.

Për shkak të maratonës, disa nga rrugët kryesore të qytetit, për rreth dy orë kanë qenë të bllokuara për automjetet.

Eventi ka startuar në orën 9:30, me ceremoninë e hapjes, ku ishte e pranishme edhe atletja Luiza Gega, e cila në fjalën përshëndetëse nuk i fshehu emocionet, për rikthimin në qytetin, ku është rritur dhe ka hedhur hapat e parë në fushën e sportit.

Në përfundim të garës është zhvilluar ceremonia e fituesve. Fituesit e kësaj maratone ishin Elsuida Loca për femra dhe Haxhi Berisha për meshkuj. Më pas, sheshi është gjallëruar nga tingujt e muzikës së një koncerti live.