Dy rastet e vdekjeve nga koronavirusi në shtetin fqinj përtej Adriatikut, kanë alarmuar jo pak edhe shqiptarët, të cilët sëmundjen vdekjeprurëse e kanë më afër nga çfarë e kishin menduar. Infektimi i mbi 20 personave dhe humbja e dy jetëve në rajonin e Padovas dhe Lombardisë, i kanë shtuar edhe më shumë masat mbrojtëse në portin e Durrësit, ku të gjithë pasagjerët që hyjnë në portin e Durrësit kalojnë në filtra kontrollues, para se të shkelin jashtë portit.
E jo vetëm pasagjerët që hyjnë kryesisht nga Italia, por edhe marinarët vendas e të huaj që hyjnë me anijet tregtare, kalojnë në të njëjtët filtra mbrojtës për të verifikuar në çfarë vendesh kanë qëndruar.
Këtë të shtunë kanë hyrë në portin e Durrësit nga Bari me 2 tragete 446 pasagjerë. Sipas mjekut higjenosanitar të karantinës së portit, Indrit Kalaja, ndaj tyre është ushtruar kontroll dhe kanë rezultuar pa probleme shëndetësore.
“Pasagjerët e mbërritur nuk kanë vend origjine vatrat ku është shfaqur infeksioni në Itali”, pohoi Kalaja për “DurrësLajm”. Po ashtu po mbahen nën vëzhgim edhe marinarët e mjeteve detare tregtare, të cilët nuk vijnë nga portet kineze. Muajt e fundit thekson doktor Kalaja, në port kanë hyrë anije që vijnë kryesisht nga portet e Detit të Zi.
K.H.





