Në një konferencë për shtyp mesditën e sotme, Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar për një tubim së bashku me qytetarët më 2 mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mbrojtje të Kushtetutës dhe shpartallimin e grushtit të shtetit sipas tij.
Meta tha se të gjitha institucionet do t’u kthehen qytetarëve shqiptarë dhe në këtë datë do të publikohet dekreti i parë “kundër grushtit të shtetit”.
“Nëse ky institucion është sot një kështjellë e vetme por e pamposhtur e mbrojtjes së demokracisë, nga data 2 mars kur do firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit, pikërisht përpara popullit shqiptar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku do të lidhim besëlidhje për të shpartalluar regjimin e orligarkëve dhe të mafias ndërkombëtare, në 2 mars ju presim të gjithë pasdite se shumë shpejt falë popullit shqiptar nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti i Republikës, por të gjitha institucionet që janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do t’i kthehen popullit shqiptar. Ata që kërkojnë popullin e Presidentit në WhatsApp, të porosisin poture të gjera”, deklaroi Kreu i Shtetit.





