Anijet tregtare që kanë sjellë apo dërguar mallra nga Durrësi gjatë vitit 2019 janë ndalur në 72 porte të botës.
Afro gjysma e tyre i përkasin Turqisë dhe Italisë, që zenë dy vendet e para për nga numri i porteve ku janë përpunuar anijet me pikënisje apo mbërritjeje në Durrës – bëhet e njohur nga statistikat e përgatitura nga sektori përkatës në Autoritetin Portual.
Nga i njëjti burim mësohet se shkëmbimet e mallrave nga/drejt Durrësit gjatë vitit të kaluar janë realizuar në 20 porte në Turqi; në 15 porte në Itali dhe në 8 porte në Rusi.
Më pas, sipas statistikave portuale të Durrësit, renditen Greqia dhe Ukraina, me nga 4 porte; SHBA, Tunizia dhe Egjipti me nga 3 porte secili, si dhe Kroacia, Hollanda dhe Franca me nga 2 porte.
Në vende të tjera si Sllovenia, Spanja, Bullgaria, Malta, Maroku dhe Kolumbia mallrat janë përpunuar vetëm në një port.
Anijet që janë nisur apo kanë mbërritur në Durrës gjatë vitit 2019 janë përpunuar në porte të katër kontinenteve: Europë, Afrikë, Azi dhe Amerikë.
Gjatë vitit që lamë pas në portin e Durrësit janë përpunuar mbi 4 milion ton mallra import-eksporti gjithsej.