Policia e Durrësit njofton se ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në qytetin brengdetar.
Nga burimet zyrtare mësohet se në pranga kanë përfunduar babë e bir, të cilët akuzohen për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe pas hetimit njëmujor me metoda proaktive, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
I. Ç., 57 vjeç dhe B. Ç., 29 vjeç (babë e bir), banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, kanë kapur në flagrancë shtetasin B. Ç, në lagjen Nr. 1, Durrës dhe në cilësinë e provës materiale kanë sekuestruar disa doza me kokainë.
Pas kontrollit në banesën e shtetasit I. Ç. u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 automjete të tipit “Benz Ml” dhe “Volkswagen”, të cilat përdoreshin në funksion të aktivitetit, 2 peshore elektronike, 1 krehër automatiku me 17 fishekë, radio policie, 2 palë targa, si dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.





