Duket se tersi nuk po i ndahet familjes mbretërore angleze. Pas Megxit dhe ndarjes së një nipi të mbretëreshës Elisabeth nga bashkëshortja, një tjetër divorc duket në prag.
Këtë herë është djali i princeshës Margaret dhe bashkëshortja e tij që kanë vendosur të ndahen pas më shumë se 25 viteve martesë, raporton Daily Mail.
Konti David Armstrong-Jones dhe bashkëshortja e tij Serena kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Një zëdhënës i çiftit ka deklaruar: “Konti dhe kontesha e Snowdon kanë rënë dakord se martesa e tyre ka përfunduar dhe ata do të divorcohen. Ata kërkojnë nga shtypi të respektojë privacinë e tyre dhe të familjes së tyre”.
Çifti u martua në tetor të vitit 1993. Konti i Snowdon është djali i princeshës Margaret, motrës së mbretëreshës.





