Bashkia e Durrësit ka reaguar pas protestës së banorëve të pallatit 12-katësh në lagjen nr.5 të qytetit bregdetar.

“Pallati ku është zhvilluar sot protesta në lagjen 5 është dërguar për ekspertizë të thelluar në Institutin e Ndërtimit. Do të jetë ekspertiza e këtij instituti që do të vendosë çfarë do të bëhet me këtë godinë.”, thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë për mediat.

Kujtojmë që paraditen e sotme, 40 familje të objektit 12-katësh, i cili është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, dolën kundër vendimit për riparimin e tij, pasi sipas tyre ai rrezikon shembjen.

Sipas banorëve, për shkak të tërmetit ndërtesa ka devijuar rreth 53 centimetra nga pozicioni fillestar.

Në lidhje me problemin e tyre, ata thanë se kanë bërë denoncim në Prokurori dhe Polici, denoncim ky që nuk është marrë nga oficerja e policisë gjyqësore, për shkak se pallati është blerë nga firma “Kastrati” sipas tyre.