Gjatë mbledhjes së katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kryeministri Edi Rama tha se procesi i rindërtimit do të nisë shumë shpejt në Laç, Thumanë dhe Shijak.
Kreu i qeverisë deklaroi se janë bërë gati modelet e konfirmuara të banesave individuale dhe në ditët në vijim, sipas tij, do të hapet gara për të ftuar kompanitë, që ofrojnë suportin për këto shtëpi.
“Kemi raportin përfundimtar të vlerësimit të bëra nga ekspertë të BE, BB dhe OKB, që na jep bazën për të zhvilluar Konferencën e Donatorëve në Bruksel. Së dyti, kemi përfundimisht zonat e përcaktuara të zhvillimit, një pjesë të konsiderueshme të planeve dhe ndër to kemi planet e avancuara të Laçit, Thumanës dhe të Shijakut, që janë tre zonat, ku rindërtimi do të nisë më shpejt se sa në zonat e tjera, së shpejti. Kemi modelet e konfirmuara të banesave individuale, sipas tipologjive, që do të thotë se jemi gati që në ditët e ardhshme të dalim në procedurës së garës së hapur për të ftuar kompanitë që ofrojnë suportin për shtëpitë individuale. Kemi po ashtu edhe të gjithë të dhënat lidhur me institucionet e shërbimit arsimor dhe shëndetësor, si dhe hyrjen në fazën e projektimit për të bërë të mundur që shumë shpejt të fillojmë procedurën e garave, në mënyrë që të fillojmë me rindërtimin.”, tha Rama.





