Prej 8 ditësh në Durrës, pranë zyrave të njësive administrative është duke vijuar aplikimi i qytetarëve për platformën online të rindërtimit “Shtëpia ime”. Në bashkinë e qytetit bregdetar janë hapur gjithsej 56 sportele, ndërkohë që pasditen e sotme kryebashkiaku Zhuljen Varfaj ka një apel për qytetarët për të evituar qëndrimin për një kohë të gjatë në rradhë.

Varfaj u rekomandon qytetarëve të mos dynden pranë zyrave vetëm gjatë paradites, pasi në orët e pasdites apo në fundjavë nuk ka aspak rradhë.

“Shmangni radhët, shfrytëzoni oraret e pasdrekes dhe ditët e fundjavës për të bërë aplikimin online.

Sportelet janë të hapura çdo ditë:

nga e HËNA në të DIEL

nga ora 08.00 deri në 18.00” – shkruan Varfaj në rrjete sociale.

Sipas bashkisë së Durrësit, deri tani janë kryer rreth 2800 aplikime. Në këtë platformë online janë të ftuar të aplikojnë të gjithë banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, në të gjitha qarqet ku lëkundja sizmike la pasoja.