Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Dhoma Amerikane e Tregtisë ka konstatuar se korrupsioni është problemi kryesor që e lë pas Shqipërinë në fushën e investimeve të huaja.
Kreu i Partisë Demokratike shkruan në Twitter, se potenciali i Shqipërisë për të thithur investime po shkatërrohet nga një qeveri që në gjenezën e saj ka kapjen e shtetit dhe korrupsionit.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë ka konstatuar (pa asnjë surprizë) se korrupsioni është problemi kryesor që e lë pas Shqipërinë në fushën e investimeve të huaja. Është korrupsioni në nivelet më të larta që në mënyrë të pafalshme po i vjedh të ardhmen vendit tonë. I njëjti institucion i respektuar vlerësoi po sot potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të thithur investime. Por ky potencial për zhvillim po shkatërrohet nga një qeveri që në gjenezën e saj ka kapjen e shtetit dhe korrupsionin”, shkruan Basha.





