Nënkryetari i Partisë Dmeokratike, Edmond Spaho ka publikuar një video ku kryeministri Edi Rama i përgjigjej akuzave të demokratëve për deputetët dhe kryebashkiakët e inkriminuar të PS.

Krahas videos, Spaho shkruan në Facebook se Rama është avokat i kriminelëve më të rrezikshëm në vend dhe se vetëm largimi i tij është garanci për një luftë të vërtetë kundër krimit të organizuar.

POSTIMI I PLOTË

Edi Rama është i pabesueshëm! Nuk mund ta luftojë krimin e organizuar pjella e krimit dhe avokati më besnik i kriminelëve më të rrezikshëm të vendit.

Edi Rama i bëri trafikantët e drogës, vrasësit, përdhunuesit, deputetë, kryebashkiakë, drejtorë të rëndësishëm në qeverisjen e vet të kriminalizuar. Është kaq hipokrit me të ashtuquajturin ligj antiKÇK, saç ishte dje, kur mbronte kriminelët e tij nga ligji i dekriminalizimit dhe kur mohonte se më Shqipëri nuk mbillej kanabis.

Edi Rama është i pabesueshëm dhe i dështuar në luftën kundër krimit dhe pasurive të tij. Është ai që u ka dhënë trafikantëve të drogës leje ndërtimi, që vazhdon t’u japë bosëve të krimit dhe familjarëve të tyre tendera publikë dhe koncesione, duke u dhënë mundësi të pastrojnë paratë e pista.

Vetëm largimi i Edi Ramës është garanci për një luftë të vërtetë kundër krimit të organizuar!