Lagjja numër 18 në Durrës mbetet një ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit, pasi blloqe të tëra banimi kanë mbetur krejtësisht të boshatisura nga njerëzit. Të dielën, banorët e një pallati pranë Fushë së Rërës, kanë protestuar duke iu bërë thirrje autoriteteve shtetërore të japin një vendim se çfarë do të bëhet me pallatin e tyre.
Banorët kanë treguar se si një grup inspektimi që erdhi fillimisht ka vënë shenjën e verdhë për rindërtim të pallatit, por më pas asnjë grup i specializuar nuk ka ardhur për t’i bërë ekspertizën godinës. Nga ajo çfarë shihet qartë, shkallët e pallatit janë këputur, ashensori ka dalë vendit, ndërsa pallati ka ceduar 20 cm në pjesën lindore.
Banorët e pallatit apelojnë strukturat e shtetit dhe ndërtuesin, i cili deri tani nuk është bërë i gjallë.
“Problem jemi, nuk po dimë çfarë do të bëhet me pallatin tonë. Pronari nuk është bërë i gjallë. A bëhet pallati? As rrobat e trupit nuk po i marrim dot”, thotë një banore.
“Asnjë nuk ka firmosur se çfarë do të bëhet. Ne të gjithë banorët do të kërkojmë një mendim. Pallati ka ceduar, ka ikur shtrembër. Shteti duhet të vërë instrumentin. Pallati ëhstë çarë mes për mes. Brenda është bërë gërmadhë, ashensori dhe shkallët janë shembur tërësisht. Çfarë do të bëhet me pallatin? Na kanë ngelur plaçkat në katin e shtatë”, thotë një tjetër banor.
Ata thonë se kanë marrë edhe inxhinierë privatisht për të parë situatën e pallatit ku kanë hyrjet e tyre, por janë duke pritur aktekspertizën e thelluar.
“Problem i parë është se shkallët dhe ashensori janë ndërtuar pa strukturë mbajtëse. Pallati ka devijim 20 cm në pjesën lindore. Kërkojmë që të vijë instituti i ndërtimit për akt-ekspertizën”, bën thirrje një banor.
Në Durrës grupet e verifikimit janë ende në terren dhe ky proces ende nuk është mbyllur për dëmët e tërmetit. Ndërkohë që procesi i verifikimit të dëmeve nuk është mbyllur, qeveria ka dalë me një faturë rreth 1 miliard euro të dëmeve të tërmetit.
Banorët thonë se ka ardhur koha të veprohet. “Kemi dëgjuar shumë fjalë, por nuk është bërë akoma verifikimi. Nuk ka ardhur asnjë grup i mirëfilltë për akt-ekspertizën”, pohojnë ata.





