Dy muaj e gjysëm nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, banorët e Durrësit e shohin ende të largët çeljen e dritës jeshile për riparimin e dëmeve, që janë të pranishme kudo në qytet. Për një pjesë të konsiderueshme godinash e pallatesh nuk ka ende një akt-konstatim, gjë që i ka detyruar qytetarët të kthehen mbrapsht kur shkojnë për të aplikuar pranë njësive administrative për platformën online të rindërtimit. Punonjësit e këtyre zyrave, që për hir të së vërtetës punonin edhe sot, që është fundjavë, u thonë të kalojnë nga fundi i javës tjetër, sepse deri atëherë ndoshta do kenë ardhur akt konstatimet e përpiluara nga Instituti i Ndërtimit.
Mos dalja e akt konstatimit pengon edhe shumë banorë që duan të aplikojnë për bonusin e qirasë, pasi ky dokument është i domosdoshëm për të përfituar subvencionimin e akorduar nga shteti. Nga ana tjetër, 2 muaj e gjysëm nga tërmeti akoma nuk e kanë përfituar bonusin të gjitha familjet, emrat e të cilave janë miratuar nga Këshilli Bashkiak në dy listat me 3863 persona, megjithëse bashkia në çdo raportim për relacionin e mbledhjes së Shtabit të Emergjencave, nuk harron të nënvizojë se procesi i aplikimit për bonusin vazhdon ende.
Aplikimet për platformën online
Që nga e hëna, shumë qytetarë janë drejtuar pranë njësive administrative apo ambienteve të tjera shtesë të vëna në dispozicion nga bashkia e Durrësit për të kryer aplikimin online. Për shumë prej tyre kjo procedurë është e kotë dhe nuk pritet t’u sjellë asnjë rezultat, pasi nuk besojnë se mund të bëhet një vlerësim i saktë i dëmit që u është shkaktuar përsa kohë askush nuk u ka shkuar nëpër banesa për të parë nga afër dëmtimet e pësuara. Deri të premten, sipas të dhënave të publikuara nga kryebashkiaku Zhuljen Varfaj në faqen e tij zyrtare në rrjete sociale, janë kryer rreth 2100 aplikime. 2100 aplikime nënkuptojnë 2100 familje të prekura nga dëmet e tërmetit, të cilat nuk dinë realisht se çfarë do të përfitojnë nga kjo platformë online. Mediat pranë të djathtës ndërkohë raportuan këtë javë se mbi 194 milionë lekë do të përdoren për të ngritur një portal unik qeveritar, për procesin e rindërtimit.
Ndërtuesit që duhet të merrnin përsipër dëmet
Kryeministri Rama i pati mbledhur rreth dy muaj më parë ndërtuesit në Durrës, ku u kërkoi marrjen përsipër të riparimit të dëmeve, në të kundërt do të përfundonin në burg. Në vizitën e fundit në qytetin bregdetar, një javë më parë, Rama pyeti kryebashkiakun në detyrë Zhuljen Varfaj se sa leje të përshpejtuara ishin dhënë deri më tani, ndërkohë që i la porosi të mblidhte dhe njëherë ndërtuesit, godinat e të cilave kanë dëmtime të kategorisë DS3, dhe t’u kërkonte paraqitjen sa më shpejt të projekteve për riparimet e nevojshme.
Ajo për të cilën Rama nuk pyeti, ose ndoshta nuk do të pyesë është sa ndërtues deri tani në Durrës nuk kanë marrë përsipër dëmet e shkaktuara në objektet e tyre shumëkatëshe. Vetëm 58 leje të akorduara nga bashkia është shumë pak në krahasim me numrin e pallateve që kanë nevojë për riparime. Të paktën këta 58 ndërtues deri më tani kanë treguar vullnetin e mirë për të rikthyer në gjendjen e mëparshme godinat shumëkatëshe, por Rama, Ahmetaj apo bashkia nuk u japin deri më tani asnjë zgjidhje konkrete banorëve, të cilët i ka braktisur ndërtuesi.
Ndërtimet me dëmtime serioze
Vetëm 3 ditë më parë, banorët e një pallati 13 katësh në lagjen nr.17 zhvilluan një protestë, pasi kërkojnë kryerjen një orë e më parë të një ekspertize të thelluar, pasi godina është anuar 65 cm dhe ka në hyrje tabelën “Rrezik shembje”. Bashkia konfirmoi se për këtë pallat, ashtu si dhe për të tjerë me dëmtime serioze është kërkuar nga Instituti i Ndërtimit ekspertizë e thelluar. Deri më tani nuk dihet se sa ekspertiza të thelluar ka përmbyllur ky institut për godinat e dëmtuara rëndë në Durrës, megjithëse kreu i tij, Agron Hysenlliu, gjatë një interviste në media, tha se në qytetin bregdetar nuk do të shembet asnjë pallat!!!
Në 17 shkurt pritet të mbahet konferenca e donatorëve, nga e cila qeveria pret ndihmën e vendeve evropiane dhe SHBA-së për donacione për procesin e rindërtimit. Në faturën zyrtare, që ministri Bledi Çuçi bëri publike në fillim javë, vlera e dëmeve llogaritej në rreth 985 milionë euro. Pritet që pas konferencës së donatorëve, qeveria të dalë me një projekt konkret për hapat që do të ndiqen për procesin e rindërtimit në qarqet e prekura nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit. Jo më kot, kryeministri krijoi një ministri më vete, drejtimin e të cilës ia besoi Arben Ahmetajt, të cilin e kishte larguar nga Ministria e Financave gjatë ndërhyrjes kozmetike që bëri në qeveri, në kohën e protestave masive të studentëve.
M.B.





