LSI ka përshëndetur deklaratën e misionit të KiE-s lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit. Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama u shpreh se misioni i KiE vërtetoi atë që ka thënë opozita, se “zgjedhjet e 30 qershorit ishin në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin dhe krijoi një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe funksionimin e shtetit në Shqipëri.”
Luan Rama tha se qëndrimi i këtij misioni nxjerr në hap maskaradën që u bë me zgjedhjet, ndërsa theksoi se afrimi i vendimit me familjen europiane do të vijë vetëm përmes plotësimit të 9 pikave të vendosura nga Bundestagu gjerman.
“Qëndrimi më i fundit evidenton, denoncon dhe nxjerr edhe njëherë zbuluar maskaradën e zgjedhjeve të ashtuquajtura të 30 qershorit të vitit të kaluar dhe denoncon gjithashtu paturpësinë e veprimit të mazhorancës, e cila i kriminalizoi edhe këto zgjedhje siç ka bërë në fakt edhe me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Shqipëria duhet të përmbushë detyrat e shtëpisë të përcaktuara në rezolutën e Bundestagut Gjerman si kusht për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian”– tha Luan Rama.
Në lidhje me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Luan Rama tha se qeveria po ebllokon në mënyrë të qëllimshme pikërisht që të mos hetojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të zgjasë sa më shumë jetëgjatësinë e pushtetit.
“Gjykata Kushtetuese ka dhe një detyrë të përcaktuar qartë edhe në rezolutën e Bundestagut gjerman sepse ajo duhet të shprehet për legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, prandaj mazhoranca, prandaj qeveria e ka bllokuar Gjykatën Kushtetuese për t’i vazhduar dhe t’i zgjasë sa më shumë jetën këtyre strukturave në krye të të cilëve i janë vënë element me background apo me prapavijë kriminale” – tha Luan Rama.
Misioni i KiE-së doli me një deklaratë një ditë më parë ku tha se “zgjedhjet e 30 qershorit ishin të cunguara dhe nuk reflektonin demokracinë funksionale në nivelin kombëtar e lokal”.





