Banorët e një pallati 13 katësh të ndërtuar në lagjen nr.17 në Durrës kanë organizuar sot një protestë.

Arsyeja e protestës, sipas administratorit të pallatit, i cili bëri publike ankesat e të gjithë banorëve është fakti se 120 familjet që kanë pas jetuar në këtë godinë shumëkatëshe deri më 26 nëntor, nuk i besojnë projektit të hartuar nga kompania “Kastrati” për riparimin e dëmeve.

Sipas administratorit, protesta e sotme  vjen pas disa takimeve që banorët kanë zhvilluar me inxhinierin si dhe drejtuesin e kompanisë që ka ndërtuar pallatin.

Banorët kanë qëndruar në pritje deri më tani, pasi shpresonin se kompania do të paraqitej me një projekt të mirëfilltë për riparimin e të gjitha dëmeve serioze të shkaktuara në godinën 13 katëshe.

“DurrësLajm” është interesuar pranë bashkisë së Durrësit lidhur me problematikën e banorëve dhe ka mësuar se deri më tani, kompania që ka ndërtuar pallatin, nuk është pajisur me leje për riparimin e  objektit.

Më herët, qytetarët patën zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të firmës ku kërkonin nga këta të fundit garanci që projekti i riparimit të siguronte jetën e tyre në të ardhmen.

Pallati shumëkatësh është anuar 65 cm, ndërkohë që administratori i tij deklaroi para mediave se në bazë të projektit të depozituar në bashkinë e Durrësit, pallati duhet të kishte 765 pilota ndërkohë që nuk ka asnjë.

“Zoti ne na tha njëherë; Ju shpëtova, tani hapini sytë mos flini më në një varrezë kolektive.”, thotë ai.

Banorët e këtij pallati kërkojnë me forcë kryerjen e një akt-ekspertize të thelluar. Për ta, nëse do të jetë e nevojshme, më mirë të shembet pallati sesa të rrezikojnë jetën në të ardhmen.

Që në ditët e para pas lëkundjes me magnitudë 6.3 në pallat është vendosur tabela rrezik shembjeje dhe asnjë nga 120 familjet që banonin aty, nuk jetojnë më në këtë godinë.