Një i ri ka rënë në prangat e policisë në zonën e Yzberishtit në Tiranë, pasi efektivët kishin marrë informacione se ai tregtonte lëndë narkotike heroinë.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: O. K., 26 vjeç. Punonjësit e Policisë kanë marrë informacione në rrugë operative se shtetasi O. K. tregtonte lëndë narkotike heroinë në zonën e Yzberishtit, në Tiranë dhe kanë organizuar punën për kapjen e tij”.
Por i riu me inicialet O. K., sapo ka parë punonjësit e policisë, ka gëlltitur disa qese ambalazhi, të cilat dyshohet se kanë qenë me lëndë narkotike heroinë.
Kontrolli ka vijuar edhe në banesën e 26-vjeçarit, ku Policia ka gjetur një përforcues metalik grushti dhe 12 tableta të dyshuara metadon.





