Të afërmit e tij e kanë braktisur në gjykatë Lulëzim Cukun, 45-vjeçarin që vrau në mënyrë makabre bashkëshorten e tij Manjolën 33-vjeçare mesnatën e një shkurtit.
Gjykata vendosi burg pa afat për 45-vjeçarin i cili ka pranuar krimin që ka bërë me akuzën e vrasjes në rrethana familjare. Por 45-vjeçari jo vetëm që e vrau bashkëshorten, por e kyçi në banjë që ajo të mos kishte mundësi të dilte apo të kërkonte ndihmë.
Vajza 10-vjeçare që u morën në pyetje nga policia në prani të psikologes ka treguar ngjarjen. 10-vjeçarja tha se babai e dhunonte nënën e tyre dhe nëna së bashku me tre fëmijët vetëm dy ditë para ishin kthyer nga gjyshi në Dibër, pasi nëna kishte marrë një urdhër mbrojtjeje.
“Unë u zgjova nga gjumi se motra e vogël qante gjatë natës shumë. Pashë për mamin dhe nuk e gjeta në krevat. As babi nuk ishte. Dola në korridor dhe pashë gjurmë gjaku që kishin dalë nga dera e banjës në drejtim të derës jashtë. Shkova në banjë dhe dera ishte e kyçur. E hapa dhe në mes të banjës gjeta mamin me gjak. E tërhoqa deri te dera pastaj thirra edhe vëllanë të më ndihmonte, por nuk e lëviznim dot. Motra e vogël qante shumë se donte të pinte gji. Unë mora në telefon gjyshin dhe i thashë hajde se babi ka prerë mamin me gjak.”
Prokurorja e çështjes Anila Bebeci, solli ngjarjen pas provave të mbledhura dhe kërkoi burg pa afat për autorin. Prokuroja tha se kur mbërriti policia në shtëpi dëgjoheshin të qarat e fëmijëve që vinin nga brenda banesës. Në katin e dytë në derën e banjës u gjetën fëmijët që qanin. Një palë gjurmë gjaku e drejtuan policinë në drejtim të banjës. Atje mbi trupin e nënës u gjetën tre fëmijët duke qarë të larë në gjak.
Me pranga në duar, i hutuar, Cuku i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga gjykatësi i çështjes Petraq Curri, i cili ngulmoi me pyetje, ndaj të akuzuarit, për të nxjerrë në pah natyrën e vërtetë të krimit.
Gjykatësi: Lulëzim pse e vrave gruan? Pse e vrave? A mund të na thuash si nisi kjo?
Cuku: Më tha vjehrra merre gruan sille në Greqi se atje ka lloj lloj gjërash. Ka drogë që pijnë njerëzit në atë fshat.
Gjykatësi: Përgjigju pyetjes time, jo çfarë do ti të flasësh. Pse e vrave gruan?
Cuku: Ajo më thoshte që do të të marr treçerekun e shtëpisë, nuk vinte me mua në Greqi.
Gjykatësi: Kur nisi konflikti mes jush?
Cuku: Ka tre muaj. Unë erdha dhe bëra dokumentat se doja të merrja në Greqi por ajo më tha nuk lëviz prej shtëpie. I thashë që eja në Greqi, por nuk vinte. Për këtë kishim filluar të ziheshim.
Gjykatësi: Gruaja kishte urdhër mbrojtjeje. Në urdhrin e mbrojtjes thuhet që ti nuk duhet t’i afroheshe. Nuk duhet ta shqetësoje. Nuk duhet t’i afroheshe shtëpisë. Po pse shkove në shtëpi atë ditë?
Cuku: Erdha nga Greqia dhe vajta në shtëpi, kisha gjetur lloj-lloj gjërash aty. Ajo më rrihte. Më thoshte dil nga shtëpia. Treçereku i shtëpisë është e imja dhe e fëmijëve. Mos na u afro. Po unë po rrija në shtëpinë time.
Gjykatësi: Ti e kishe vendimin e gjykatës që nuk duhet t’i afroheshe. Sot në datën 6 shkurt duhet të vije në gjykatë se mbaronte afati i urdhrit të mbrojtjes.
Cuku: Po e drejtë.
Gjykatësi: I pandehur çfarë ndodhi atë natë?
Cuku: Vumë fëmijët në gjumë nga ora nëntë. Ne u zumë në dhomën e gjumit fjalë pas fjale. Pastaj vajta në kuzhinë e mora thikën e bukës. E çova në banjë.
Gjykatësi: Çfarë ndodhi në banjë? Pse e kyçe nga jashtë? A mendove për tre fëmijët?
Cuku: Në banjë e qëllova. Më thoshte s’ke punë me shtëpinë. Më thoshte do të të marr shtëpinë. Mendoja për fëmijët.
Gjykatësi: Çfarë mendove për fëmijët? Pse e le gruan brenda në banjë të kyçur nga jashtë?
Cuku: E lashë që të mos e shikonin fëmijët se do trembeshin.
Gjykatësi: Pse e le gruan të kyçur, ajo s’kishte mundësi të dilte e të kërkonte ndihmë.
Cuku: Jo jo e kyça vetëm të mos e shihnin fëmijët se trembeshin.
Gjykatësi: Çfarë bëre më pas?
Cuku: Ika lashë fëmijët në gjumë. Mora makinën dhe ika u nisa për në fshat, por rrugës kam përplasur makinën dhe kam ikur me makina të rastit në Dibër.
Gjykaëtsi: Po kur fëmijët e gjetën nënën e tyre të larë në gjak, e mendove këtë?
Cuku: E mendova ta kyçja banjën që të mos e shihnin fëmijët.
Gjykatësi: Çfarë bëhet me fëmijët tani e mendon këtë?
Cuku: Unë mora në qafë atë e mora në qafë edhe veten time.
Gjykatësi: A ke gjë tjetër për të na thënë?
Cuku: Jam i mallkuar nga Zoti që kam bërë këtë!
K.H.





