Teksa rezultati përfundimtar i autopsisë pritet të dalë pas një muaji, ekspertiza paraprake për Andon Mëhillajn thotë se vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

“Vdekje e menjëhershme për shkaqe ende të pasqaruara! Do pritet rezultati përfundimtar i autopsisë pas 29 ditësh”, thuhet në raportin paraprak nga mjekët ligjorë të Elbasanit, mëson Panorama.

Mëhillaj dhe disa të afërm të tij dyshoheshin si porositësit e krimeve të pranuara nga Julian Sinanaj.

44-vjeçari i cili njihej si anëtar i bandës së tritolit ishte dënuar në 2017-n nga Apeli i Krimeve të Rënda.

Familjarët e Mëhillajt, akuzojnë shtetin për humbjen e njeriut të tyre.

‘Panorama’ raporton se në një prononcim të dhënë pas ngjarjes, familjarët tregojnë se Andon Mëhillaj, baba i dy fëmijëve vuante nga zemra, që në momentin që hyri në burg.

“Ai vuante nga zemra që në momentin që hyri në burg. Shteti e ka lënë të izoluar. Ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore”, thonë familjarët.

Ata tregojnë se u është komunikuar se ai ka ndërruar jetë për shkak të një ataku kardiak.

Sipas tyre, ai nuk kishte lidhje me asnjë nga akuzat kriminale që i janë bërë. “Cfarë krimineli ishte ai, atë e dënuan se nuk kishte lekë”, thonë ata.