Përmes një bisede telefonike, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka uruar Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, për detyrën e tij të re.

Cakaj shkruan në Facebook se është koha për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

POSTIMI I PLOTË

Nëpërmjet një bisede telefonike kam uruar Ministrin e ri të Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, për detyrën e tij të re dhe kemi shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin në të mirë të dy vendeve, Kosovës e Shqipërisë!

Në të njejtën kohë, dua të falënderoj nga zemra tashmë ish-Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, për sjelljen shumë bashkëpunuese e korrekte e kontributin e tij të vyer për shqiptarët kudo ndodhen.

Z. Pacolli ka bërë një punë të palodhshme për shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës dhe ruajtjes së njohjeve ekzistuese. Për më shumë, ai ka punuar me përkushtim për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona. Në këtë kontekst, mes shumë të tjerash, Pacollit i mbetem tepër mirënjohës edhe për përgjigjen pozitive të kërkesës sonë për t’i siguruar Shqipërisë qasjen në hapësirat e konsullatave të Republikës së Kosovës në Malmo, Dyseldorf, Stuttgard, Hamburg e Toronto!

Koha për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.