Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, paralajmëroi se sot do të zhvillohet aksioni i radhës nga OFL (Operacioni Forca e Ligjit) për sekuestrimin e pasurisë së vendosur nga krimi. Por kush do ta ketë sot radhën pas Hajrajve të Shijakut që u goditën dje?
OFL-ja e nisi aksionin nga Shijaku dje, duke sekuestruar veç kompleksit “Golden” edhe tre shtëpi dhe një pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri. Lista e parë në duart e OFL-së përfshin 150 subjekte, ndërsa në total deri më tani janë 250 subjekte në verifikim paraprak.
Tashmë këto pasuri i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve e cila është në varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Sipas OFL-së, pas konfiskimit përfundimtar që vendoset nga Gjykata Speciale 15 ditë pas kalimit të dosjes pasurore të pronarit të objektit në SPAK, është Ministria e Brendshme që vendos nëse ai do të shembet apo do të shfrytëzohet si aset publik.





