Lulëzim Cuku e vrau bashkëshorten e tij, Manjolën në sy të fëmijëve. Konflikti mes tyre përfundoi tragjikisht mesnatën e së shtunës, me vdekjen e 33-vjeçares, e cila la pas tre fëmijë të vegjël jetimë, një vajzë 10 vjeçe, një tjetër 7 vjeçe dhe djalin vetëm 2 vjeç.
Largësia kishte bërë punën e vet dhe Lulëzimi kishte nisur të dyshonte për nderin e bashkëshortes së tij. Madje, ai ka thënë se këtë radhë ishte kthyer nga Greqia pasi kishte dëgjuar thashetheme nga më të ndryshmet, që kishin të bënin me nderin e së shoqes.
Mësohet se gjatë muajve të fundit, Lulëzimi ishte bërë shumë agresiv ndaj së shoqes, këtë e konfirmojnë edhe fëmijët e çiftit, kryesisht vajza e madhe 10-vjeçare.
Ajo ka thënë se prindërit e saj debatonin shpesh dhe shumë ashpër me njëri-tjetrin. Lulëzimi dyshonte se ndërkohë që ai jetonte në Greqi, ajo kishte lidhje intime me persona të tjerë, madje edhe i fuste në shtëpinë e tyre.
Ky fakt e ka acaruar shumë Lulëzimin, i cili mbrëmjen e së shtunës, në gjaknxehtësi e sipër, e qëlloi Manjolën tri herë më thikë duke e lënë të vdekur në vend. Burime policore bënë me dije se Manjola dyshohet se i ka kthyer fjalën burrit dhe kjo ka shkaktuar përshkallëzimin e sherrit, që u mbyll me një të vdekur.
Të afërmit e çiftit kanë marrë fëmijët dhe trupin e Manjola Cukut dhe kanë mbyllur shtëpinë.





