Altin Hajri, i dyshuar si një nga personat kryesorë që ka vënë në zbatim planin për rrëmbimin dhe mbajtjes peng të Jan Prengës, rezulton të ketë ardhur në Shqipëri në muajin dhjetor 2019. Siç rezulton nga rrëfimi i bashkëshortes së Altin Hajri, me inicialet V.H, Hajri është kthyer në Shqipëri nga Holanda. V.H, ka treguar para oficerëve të policisë se bashkëshorti ka qenë në burg në Holandë, dhe pasi është liruar ka mbërritur në Shqipëri në datën 30 dhjetor 2019. V. H, është pyetur dhe për administrimin e hotelit dhe bizneseve, por ka treguar se nuk ka dijeni se kush merret me to, pasi këto janë prona të familjes dhe jo të një personi të vetëm. Më tej V.H, ka pohuar se ajo qëndron me fëmijët, ku kujdeset për rritjen e tyre duke sqaruar se nuk kishte shumë informacion se me çfarë merrej bashkëshorti i saj.
Mirëpo vetëm 18 ditë pasi Altin Hajri ishte kthyer në Shqipëri, ai vihet në veprim me familjen Doçi në Shkodër për të rrëmbyer dhe mbajtur peng, Jan Prengën, pasi vëllezërit e tij mbanin peng në Angli një sasi prej 283 kg lëndë narkotike kokainë. Nga hetimet për rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, janë shpallur në kërkim 10 persona, që dyshohet të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Sipas burimeve të policisë, personat që besohet se kanë marrë peng rreth orës 10:15 në Kamëz Jan Prengën, janë nga Shkodra dhe Shijaku, ndërkohë nga verifikimi i kamerave ka rezultuar se në 11:30 të drekës mjeti tip “Range-Rover, ka hyrë në ambientet e kompleksit “Golden”.
Deri në këto momente për ketë ngjarje në kërkim janë Dritan Rexhepi, Gentian Doçi, Ardian dhe Artan Doçi, Altin Hajri, M.Bajri,Gentian ose Nik Bleta dhe disa personave të tjerë. /shqiptarja.com





