Kryebashkiaku në detyrë i Durrësit, Zhuljen Varfaj, njofton përmes një njoftimi në Facebook se gjatë ditës së sotme ka nisur procesi i aplikimit të qytetarëve për programin e rindërtimit. Sipas Varfajt, deri në orën 15.10, janë realizuar 100 aplikime, ndërsa fton qytetarët që të bëjnë vetëdeklarimin pranë njësive administrative.
“Deri në orën 15:10 në sistemin e aplikimit online për programin e rindërtimit në bashkinë e Durrësit janë shënuar 100 aplikime. Ftoj qytetarët që të bëjnë vetëdeklarimin pranë sporteleve në çdo njësi administrative, ku stafi i trajnuar asiston qytetarët për të kryer një proces të rregullt e të shpejtë”, deklaroi Varfaj.
Në datë 26 janar, Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, prezantoi platformën online, e cila sipas tij do të niste ditën e mërkurë, 29 janar. Gjithsesi ka qenë dita e sotme, 3 shkurt, kur kanë nisur të regjistrohen aplikimet e para.
Aplikimin secili qytetar duhet ta bëjë pranë njësisë administrative ku banon. Në Durrës janë 6 njësi administrative për qytetin dhe 5 për ish-komunat Rrashbull, Katund i ri, Ishëm, Manzë dhe Sukth.





