Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër homologut kinez, Li Keqiang ku i shpreh solidaritet dhe ngushëllimet për të vdekurit nga koronavirusi.
Në letrën e tij, kreu i qeverisë shqiptare shprehet se është i bindur se qeveria kineze dhe qytetarët e saj do ta kalojnë këtë situatë të vështirë.
“Më lejoni të shpreh solidaritetin e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë me Kinën dhe qytetarët kinezë rreth përhapjes së koronavirusit në Wuhan, provinca Hubei. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjitha jetët e humbura përgjatë kësaj krize dhe shpresoj në rekuperim të shpejtë të të infektuarve.
Po i ndjek zhvillimet më të fundit dhe jam i bindur se qeveria dhe qytetarët kinezë do ta kalojnë këtë situatë të vështirë. Kam mundësinë të shpreh vlerësimin për të gjithë stafin mjekësor dhe autoriteteve që po punojnë së bashku për të luftuar këtë virus dhe për të minimizuar efektet e tij.
Sapo i kemi mbijetuar një tërmeti të 26 nëntorit të 2019, dhe me plagët tona ende të hapura jemi të lënduar dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës midis njerëzve dhe kombeve në ditë sprovuese”, – shkruhet ndër të tjera në letër.





