Familja Dervishi në fshatin Priskë të Tiranës, e cila humbi shtëpinë në tërmetin e 21 shtatorit, ka hyrë këtë të diel në shtëpinë e re.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, ka qenë kryeministri Edi Rama i cili i dha çelsin e banesës familjes prej 6 anëtarësh, e cila deri dje jetonte në një çadër emergjencash pranë shtëpisë së vjetër.

Kryefamiljari tha se është mirënjohës për ndihmën që iu dha, ndërsa kryebashkiaku Veliaj theksoi se familja Dervishi përfaqësonte një nga rastet sociale më të vështira në fshat, e përzgjedhur edhe nga vetë banorët si familja që kishte më shumë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.

Duke folur për projektet e rindërtimit, kryeministri Rama u shpreh se gjithçka do të bëhet shumë më e mirë nga ç’ishte, por do kohë për t’u realizuar.

“Ne nuk po rrimë, por janë shumë. Jo të gjitha do bëhen aty ku janë, disa do afrohen me njëra-tjetrën që të kenë më shumë komunitet dhe më shumë shërbime afër. Pastaj janë studimet gjeologjike, janë projektet, pastaj procedura për të përzgjedhur kompanitë,”–  tha kryeministri.​